Error message

Deprecated function: The each() function is deprecated. This message will be suppressed on further calls in menu_set_active_trail() (line 2405 of /home/tlasorg/public_html/includes/menu.inc).

Publikimi i raportit mbi Vlerësimin e Nevojave Ligjore në Shqipëri

Shërbimi Ligjor Falas Tiranë (TLAS), në bashkëpunim me Rrjetin e Studentëve të Drejtësisë në Europë (ELSA) dhe me mbështetjen e Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID), kanë kënaqësinë të prezantojnë raportin e ri mbi Vlerësimin e Nevojave Ligjore në Shqipëri. Ky raport, i cili mund të gjendet i plotë në faqën tonë të internetit, synon të vlerësojë gjendjen e tanishme të problemeve e nevojave ligjore në Shqipëri, veçanërisht të individëve në vështirësi ekonomike. Studimi analizon përhapjen dhe natyrën e problemeve ligjore, rrugët e ndërmarra për zgjidhjen e tyre dhe grupet demografike që vuajnë më së shumti peshën e çështjeve ligjore. Mbulimi me të dhëna të mbështetura në statistika të vlefshme është i domosdoshëm për të informuar dhe përcaktuar drejtimin për politikat e ofrimit të ndihmës juridike dhe aksesit në drejtësi në Shqipëri, sidomos në kuadër të reformës madhore në drejtësi.

            Gjetjet kryesore ishin në linjë me të dhënat dhe eksperiencën e TLAS nga një punë pothuaj 20 vjeçare në ofrimin e ndihmës ligjore për kategoritë më vulnerabël. Më specifikisht, nga 1007 intervista telefonike dhe 1002 pyetësorë të shkruar, duke përdorur metoda të statistikës përshkruese dhe inferenciale zbuluam se:

 

  1. Njerëzit me probleme ekonomike janë veçanërisht vulnerabël ndaj problemeve ligjore. Pothuaj 70% e subjekteve të kampionit tonë kanë deklaruar që janë përballur me të paktën një problem ligjor gjatë vitit të fundit.
  2. Njerëzit me probleme ekonomike vuajnë veçanërisht nga probleme ligjore të lidhura me të drejtat (përfshirë këtu probleme me regjistrimin në gjendjen civile, ndihmën ekonomike, apo banesat sociale), familjen (përfshirë këtu çështje divorci apo përgjegjësie prindërore) dhe punësimin. Këto tri fusha mbulojnë më shumë se 70% të gjithë problemeve të identifikuara nëpërmjet bisedave telefonike.
  3. Në mes njerëzve në vështirësi ekonomike, grupet më vulnerabël ndaj problemeve ligjore janë indivitët me aftësi të kufizuar dhe komuniteti Rom.
  4. Në mes njerëzve që kanë ndeshur të paktën një problem ligjor përgjatë vitit të kaluar, çështjet më të përhapura janë ato që lidhen me krime apo familjen, kurse më të rrallat lidhen me të drejtat, shkaktimin e dëmit dhe banimin.
  5. 95% e njerëzve me vështirësi ekonomike që janë përballur me një problem ligjor vitin e kaluar vlerësojnë që ky problem ka pasur pasoja negative në jetën e tyre të përditshme. Nga këta, pothuaj çereku i ka vlerësuar këto pasoja si të rënda.
  6. Sipas pyetësorit, 85% e njerëzve që kanë ndeshur një problem vitin e kaluar kanë përjetuar ndërlikime si pasojë dhe 22% e tyre janë klasifikuar si të rënda.
  7. Nga njerëzit me vështirësi ekonomike, vetëm 26% e subjekteve kanë kërkuar ndihmë ligjore për problemin ose problemet e tyre. Të tjerët ose janë mbështetur në strategji të ndërtuara vetë (26%) ose nuk kanë bërë asgjë në përgjigje të problemit të tyre (48%).
  8. Grupet që priren të mos kërkojnë ndihmë ligjore janë komuniteti Rom, personat që nuk kanë mbaruar arsimin e meswm, të papunët dhe njerëz që nuk banojnë në Tiranë.
  9. Përsa i përket pikës 7), mungesa e burimeve financiare shpjegon 61% të rasteve për të cilat ndihma juridike nuk është kërkuar. Nga ana tjetër 30% e subjekteve në fjalë nuk e kërkojnë ndihmën ligjore për shkak të mungesës së besimit në institucionet përkatëse (duke përfshirë avokatët privatë, avokatët kryesisht dhe OJQ-të që ofrojnë ndihmë ligjore falas).
  10.  Përsa i përket pikës 9), më shumë se 63% e individëve që nuk kërkojnë ndihmë ligjore për shkak të mungesës së burimeve financiare nuk janë në dijeni (ose kanë njohuri të limituara për proçesin) të mundësive për të përfituar ndihmë juridike falas nga shteti ose OJQ përkatëse.
  11. Përqindjet e referuara në pikën 7) janë shumë të ndryshme për kampionin tjetër. Personat që kanë ndeshur të paktën një problem ligjor vitin e kaluar nuk kanë kërkuar ndihmë të jashtme për “vetëm” 42% të rasteve.
  12. Përsa i përket pikës 11), grupet që më së shumti nuk kërkojnë asistencë ligjore janë komuniteti Rom, individë me të ardhura familjare nën mesataren e të ardhurave për frymë në Shqipëri dhe individë me aftësi të kufizuara.
  13. Përsa i përket pikës 11), mungesa e burimeve financiare shpjegon 53% të rasteve për të cilat ndihma juridike nuk është kërkuar. Nga ky numër, përafërsisht 34% e të anketuarëve nuk kanë patur dijeni (ose kanë pasur informacion të limituar) për mundësitë për të përfituar ndihmë juridike falas nga shteti ose OJQ-të përkatëse.
  14. Nga kampionimi i njerëzve me vështirësi ekonomike rezulton se treçereku i tyre nuk kanë qenë në gjendje të zgjidhin asnjë nga problemet ligjore të ndeshura në 12 muajt e fundit. 

 

Në bazë të këtyre gjetjeve mund të ripohojmë që aksesi në drejtësi për njerëzit në nevojë duhet të bëhet apo mbesë një prioritet publik. Kjo sepse me anë të regresioneve binare logjistike u vu re një lidhje e fortë midis mungesës së ndihmës ligjore dhe pamundësisë për të finalizuar një problem ligjor, ndërkohë që përqindja e njerëzve me vështirësi ekonomike që nuk kishin kërkuar ndihmë ligjore për problemet e tyre ishte shumw e lartë. Megjithëse reforma në drejtësi synon të përmirësojë sasinë dhe cilësinë e ndihmës juridike së ofruar, dy pika të tjera duhet të adresohen më me kujdes.

Së pari, ashtu si tregon anketimi, mungesa (ose mungesa e pjesshme) e informacionit mbi ofruesit e ndihmës juridike falas mund të jetë një pengesë e rëndësishme për zgjidhjet efektive të problemeve ligjore. Ndaj, për grupet vulnerabël, fushata informuese dhe edukimi që i ndihmojnë të identifikojnë problemet e tyre ligjore dhe rrugët e zgjidhjes (qoftë dhe të kërkimit të ndihmës juridike) mund të jenë të dobishme. Në këtë drejtim, projekti i ri i Ministrisë së Drejtësisë (ngritja e një zyre pilot të specializuar në ofrimin e ndihmës juridike brenda Ministrisë) mund të jetë hapi i parë i një skeme të përmirësuar komunikimi. 

Së dyti, shumëllojshmëria e problemeve ligjore, e finalizimit të tyre dhe pasojat përkatëse kërkojnë një qasje tërësore, e shumëanshme dhe e integruar, ndaj aksesit në drejtësi. Duhet të jetë e shumëanshme për të përfshirë disa lloje strategjish për të akomoduar nevoja të ndryshmë të komunitetit. Duhet të jetë e integruar për të ofruar asistencë intensive për shërbime juridike dhe ekstra-juridike duke parë që dhe nevojat e shkaktuara nga problemet ligjore mund të kërkojnë ndihmë ekstra-ligjore. Ofruesit e asistencës juridike parësore duhet të kenë dijeni për këtë shumëllojshmëri nevojash dhe të veprojnë në mënyrë të përshtatshme.

Diagnoza e saktë e rasteve të veçanta është e rëndësishme jo vetëm për mirëqenien e individit por edhe për shpërndarjen optimale të burimeve në dispozicion. Fondet e limituara financiare janë kryesisht pengesa kryesore për ofrimin e ndihmës juridike falas në sasinë dhe cilësinë e dëshiruar. Prandaj, përcaktimi i prioriteteve për të optimizuar strategjitë për lehtësimin e zgjidhjeve ligjore është jetësor.